Besa OFFICIAL

This post is also available in: English

BIOGRAFIA

Besa është një nga artistet shqiptare më të suksesshme të dekadës së fundit shquhet për zërin e saj të veçantë. Me performancat e saj emocionuese konsiderohet, si një nga artistet më inovative në skenën tonë muzikore. Është një profesioniste e vendosur, e cila kërkon maksimumin gjatë realizimeve të saj. Ajo është një ndër artistet  më të vlerësuara me çmime në fushën e muzikës. Kujdesi i saj ndaj detajeve e përmirëson edhe më tepër punën që ajo bën, si këngëtare. Por dëshira e saj më e madhe është që t’i transmetojë emocione publikut të saj, duke mos menduar vetëm për suksesin personal.

Jeta, muzika dhe arritjet
Besa Kokëdhima u lind më 29 maj 1986. Origjina e saj rrjedh  nga Qeparo, Himarë, një qytet në jug të Shqipërisë. E bija e Koço Kokëdhima, një matematicien i hershëm shqiptar e sipërmarrës, dhe Brixhida Kokëdhima, gjithashtu matematiciene e menaxhere biznesi.
Ajo kaloi disa vite të fëmijërisë në Qeparo me gjyshen e saj, ndërsa adoleshencën në Fier, ku familja e saj ka jetuar në atë periudhë. Atje ishte e përfshirë vazhdimisht në aktivitete muzikore shkollore si këngëtare, ku spikati për talentin e saj muzikor. Besa u vlerësua për ngjyrën dhe tonin e veçantë të zërit të saj.
Kur kuptuan pasionin e saj për muzikën, prindërit ishin të gatshëm ta mbështesnin dhe e inkurajuan atë për të ndjekur karrierën muzikore. Për më tepër, ata i siguruan Besës të ndiqte mësime pianoje, për të zhvilluar pasionin e saj për muzikën.
Në moshën 15-vjeçare, ajo u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar për të ndjekur shkollën e mesme. Kur ishte 17 vjeçe pati sukses në konkursin ndërkombëtar të talenteve në Mbretërinë e Bashkuar, ku konkurroi si pianiste dhe më vonë edhe si këngëtare. Ajo pati mbështetje nga mësuesi i pianos, i cili i entuziazmuar nga zëri i saj e prezantoi atë përpara shfaqjes.
Pavarësisht largësisë, në vitin 2002 ajo u kthye në Shqipëri, pasi ishte e ftuar speciale në festivalin muzikor “Mikrofoni i Artë”, ku interpretoi koverin e saj të preferuar “Street Symphony”(Simfonia e Rrugës), nga Monica.
Një vit më vonë, ajo merr pjesë sërish te “Mikrofoni i Artë”, por si konkurrente. Kënga e saj debutues “Me beso” e shkruar nga producenti shumë i suksesshëm Florian Mumajesi, në bashkëpunim me grupin e sapoformuar shqiptar “Produkt 28” rezultoi e suksesshme, duke fituar kështu çmimin e madh në festivalin e muzikës shqiptare “Mikrofoni i Artë” në vitin 2003.
Në moshën 19-vjeçare, Besa rikthehet në Shqipëri për të qëndruar përgjithmonë. Menjëherë filloi të punonte për albumin e saj të parë i titulluar “BESA”, i cili u publikua në 29 korrik 2006. Albumi rezultoi i suksesshëm me një rekord të lartë shitjesh, pjesë e të cilit ishin hitet muzikore “Zonja dhe Zotërinj”, “Mëngjesi im je ti” etj.
Albumi i saj debutues u realizua në bashkëpunim me personalitete të njohur të industrisë së muzikës shqiptare, si Dorian Gjoni, Florian Mumajesi, Genti Lako, Andy Dj etj. Po atë vit, Besa u përzgjodh për të përfaqësuar Shqipërinë në “Exit Concert MTV”.

Në vitin 2006, ajo mori pjesë në festivalin muzikor në Maqedoni “Notafest”, ku u vlerësua me çmimin e parë për këngën e suksesshme R&B “Lëshoje Hapin”.

Në vitet 2006-2007 mori pjesë në festivalin muzikor shqiptar “Kënga Magjike”, ku u vlerësua me çmimin “Kërcimi më i mirë” për këngën “Tani të dua” dhe “Jon Music” për këngën “Pa yllin tënd”.
Në “Top Fest”, një tjetër festival shqiptar i madh, ku Besa u vlerësua me çmimin “Best Pop&Rock” në vitin 2007, me hitin e saj “Unik”, ndërsa në vitin 2008, në po të njëjtin festival fitoi çmimin e internetit dhe çmimin e parë me këngën e saj “Engjëjt vrasin njëlloj”, këngë e cila mbeti hit për shumë vite të tjera pasues.

Në vitin 2008, ajo përfaqësoi Rumaninë në “Eurovision Song Contest” me këngën “Nothin’ Gonna Change”, e cila u rendit mes këngëve finaliste.
Besa ka fituar çmimin “Performanca më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës në Ohër “Fest Ohrid” me këngën “Versus”.

Në vitin 2010, ajo u rikthye në “Top Fest 7”, ku fitoi çmimin “Best Female Singer” me këngën “Kalorësi i Natës”. Pas disa kohësh, u realizua edhe videoklipi i këngës.
Në tetor të vitit 2010, Besa bashkëpunoi me këngëtaren e mirënjohur nga Kosova, Jehona Sopi për këngën e tyre R&B me frymë feministe “Nuk jam ajo”.
Më pas, publikoi videoklipin për hitin e verës “Alëays on my mind” në anglisht.
Në vitin 2011, Besa rikthehet në “Kënga Magjike”, pas 4 vitesh mungesë në festivalin e famshëm të muzikës, me këngën e saj “Botën do ndryshoja”. Teksti i këngës përcjell një mesazh frymëzues për një dashuri tepër të madhe për të ndryshuar botën. Kënga u vlerësua me çmimin e kritikës dhe u rendit e treta, duke u bërë një nga këngët më të dashura për publikun.
Në vitin 2012, Besa merr pjesë në “Top Fest 9”, me këngën “Fishekzjarre”, e cila mori çmimin “Radio Hit”.
Në vitin 2013, Besa në bashkëpunim me grupin rumun DJ LLP, publikoi këngën “Burning” përmes Media Pro. “Burning” u pasqyrua në radion rumune “Charts Radio”, ku u vlerësua pozitivisht dhe mori komente të shumta. Besa është shfaqur vazhdimisht si e ftuar speciale në koncerte dhe evenimente të organizuara në Rumani të artistëve ndërkombëtarë si Rasmus, Uli Jon Roth / Skorpions, Rainboë, Planet Funk, One Republic, Melanie Fiona, Manu Chao etj.
Në verën e vitit 2013 Besa publikoi klipin e radhës “Folie”, këngë e cila u bë një nga hitet më të mëdha të verës në skenat e muzikës shqiptare. Klipi i “Folie” goditi për bukuritë natyrore të jugut të Shqipërisë, vend nga i cili vjen edhe origjina e Besë, të cilën ajo e promovon gjithmonë me shumë dëshirë. Në gusht të vitit 2013, Besa ishte e ftuar për të performuar në festivalin “Sopot Music Festival”, në Poloni, ku ajo këndoi hitin “Fishekzjarre” në mesin e disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës së sotme në Evropë si Loreen, Imany, Amy McDonalds, Caro Emerald etj.
Në shtator të vitit 2013, ajo u ftua për të përfaqësuar Shqipërinë në “Türkçe Vizyon 2013”, festivali i muzikës turke. Interpretimi i saj live “Gul Pembe” i Baris Manco u konsiderua nga fansat si interpretimi më origjinal i festivalit.
Në tetor 2013, Besa rikthehet në festivalin “Kënga Magjike” me “Tatuazh në zemër”. Kënga është shkruar nga Darko Dimitrov, me tekst nga Alban Skenderaj. Në një konkurrencë të ashpër me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare, Besa fiton festivalin, duke u bërë artistja e parë në Shqipëri që fiton një festival me një këngë dance bashkëkohore. Ajo fitoi gjithashtu çmimin“Best Dance”. “Tatuazh në zemër” fitoi zemrat e të gjithëve, duke u bërë këngë hit në Shqipëri.
Në dhjetor 2013, Besa publikoi përmbledhjen e saj speciale për festat , albumin “Besa për Festat”, me tetë këngë tradicionale angleze të përshtatura në gjuhën shqipe. Të gjitha këngët u shoqëruan me video, ku merrnin pjesë Besën dhe Orkestra Kombëtare, duke performuar në qendrën e bulevardit të kryeqytetit, të dekoruar për Krishtlindje. Producentë të këngës ishin të mirënjohurit Darko Dimitrov, Edi Balili, Klodian Qafoku dhe Mario Deda. Gjithashtu, albumi përfshinte një version Krishtlindjes të këngës fituese “Tatuazh në zemër” ft. Darko Dimitrov.

Në vitin 2014, Besa publikoi “Zemrën dot nuk ta lexoj”, një bashkëpunim ky me reperin kosovar 2Po2, këngë e cila u shoqërua me vonë edhe me klip. Kënga pati sukses të madh, sukses i cili vazhdon edhe në ditët e sotme.
Në maj të vitit 2014, Besa publikoi “Mbretëreshë”, e cila u vlerësua pozitivisht. Në fund të muajit korrik, ajo publikoi “Zejemër” në bashkëpunim me TDS, solist Dr. Mic. Pas publikimit, “Zejemër” pati sukses të menjëhershëm. Ndërsa në fillim të muajit gusht, Besa publikoi videoklipin “Arabia” në bashkëpunim me reperin gjerman  GMD Babydave.
Në dhjetor të vitit 2014, Besa publikoi albumin e dytë për festat “Ti je festa ime”. Këngët e albumit u vlerësuan pozitivisht, duke u cilësuar si një nga projektet më të mëdha të vitit.
Besa është konsideruar si artistja e parë në Ballkan, e cila ka krijuar tashmë një traditë  të albumeve të festave në gjuhën shqipe. Kënga “Ti je Festa ime” është prodhuar nga i mirënjohuri Darko Dimitrov, ndërsa teksti është shkruar nga Alex dhe Besa. Në video u pasqyruan të gjitha bukurinë dhe magjia e Krishtlindjeve dhe festave të fundvitit. Albumi përmbante gjithashtu kovera të Krishtlindjeve klasike në shqip, për të cilat u realizuan më vonë kripet përkatëse.

Më 14 shkurt 2015, Besa publikoi videon e re “# 14” . balada e fuqishme u promovua fillimisht në koncertin “Mad Secret”, i cila u mbajt në të njëjtën ditë. Koncerti përmbante një recital nga Besa dhe Jericho,  këngëtar i Petrit Carkaxhiu, mbajtur nga Mad TV në Shqipëri. Një javë më vonë, Besa publikoi këngën hit ndërkombëtare “Amelia” në bashkëpunim me artistin rumun Mattyas. Kënga u promovua nga studio ndërkombëtare e muzikës “ROTON Music”. Videoklipi pati një boom shikimesh dhe kënga u kthye në një hit veror.
Në gusht 2015, Besa nxori këngën inovative R&B underground “All in”. Videoja, paraqiti një zonjë të rrezikshme (interpretuar nga Besa), e cila rebelohet për t’u hakmarrë në një tentativë vrasjeje, në të cilën ajo ishte subjekt. Kënga u realizua në bashkëpunim me kantautorin Flori Mumajesi dhe Vicky DJ, një nga DJ-të më të njohur në skenën e muzikës shqiptare.

Viti 2016 për këngëtaren Besa startoi me një projekt muzikor, i cili rezultoi shumë i suksesshëm. “Kameleon” titullohet kënga, e cila që në 24 orët e para të publikimit pati një “boom” klikimesh në kanalin muzikor “Youtube”. Kjo këngë erdhi në bashkëpunim me Ansin, një këngëtare e re tepër e talentuar.

MUZIKA
muzika_400x328
VIDEO
KONTAKTO